Sevilla shkaktoi surprizën e madhe në “Old Trafford” duke mposhtur me rezultatin 2-1 Manchester United dhe kualifikohet në çerekfinale të Champions League me rezultatin e përgjithshëm 2-1, pasi ndeshja e parë në Spanjë përfundoi në barazim. Heroi i takimit ishte Ben Yedder, i cili brenda 10’ minutash shënoi dy gola duke i dhënë një shuplakë të fortë United dhe Mourinho-s. 45’ minutat e para të takimit u mbyllën në barazim pa gola, por me United më kërkues. Vendasit iu afruan disa herë golit, por Sergio Rico bëri disa pritje shpëtimtare duke i mohuar golin Marcus Rashford dhe Fellaini. Nga ana tjetër spanjollët provuan me Muriel dhe Correa, por pa rezultat.

Në të dytën United mundohet të kontrollojë lojën, por miqtë janë të frikshëm në zbritjet në sulm. Rastin më të mirë në këto minuta e kanë “Djajtë” me Jesse Lingard, por Rico mbyll saktë. 18’ minuta nga fundi Montella bën zëvendësimin e parë duke hedhur në fushë Ben Yedder në vend të Muriel dhe sulmuesi ia shpërblen. 2’ minuta pasi u fut në fushë Ben Yedder kaloi Sevilla-n në avantazh duke shënuar një gol të shkëlqyer (74’). 4’ minuta më vonë francezi shënoi edhe golin e dytë duke shokuar Manchester United, pas një asisti të shkëlqyer të Correa. Në disavantazh United sulmon me të gjitha forcat, me trajnerin Mourinho që aktivizoi Martial dhe Mata në kërkim të golit të parë. Pas disa tentativash, vendasit rihapin ndeshjen me Lukaku-n, që shënoi një gol mjaft të bukur pas një goditjeje këndi.Në minutat e mbetura, pavarësisht dëshirës dhe rasteve të rrezikshme, Sevilla u mbrojt mirë dhe mori një fitore të madhe që e dërgoi në çerekfinale të Champions.