Roma i falet Edin Dzeko-s për t’u kualifikuar në fazën çerekfinale të Champions League. Mund 1-0 Shakhtar-in në Olimpico dhe kualifikohet pasi në fushën kundërshtare u mund me rezultatin 2-1. Një gol në fushën ukrainase që iu ka vlejtur shumë verdhekuqve.

Dzeko shënoi në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa dalja me karton të kuq e mbrojtësit Ordets në minutat e fundit të ndeshjes i dha sigurinë ekipit të Roma-s për të mbrojtur rezultatin e krijuar.

Pjesa e parë solli pak emocione në stadiumin Olimpico të kryeqytetit italian. Rrjeta të paprekura mes Roma-s dhe Shakhtar-it, që mbanin në tonus të dy ekipet për pjesën e dytë. Rastet për shënim gjatë 45-minutëshit të parë kanë qenë si me pikatore.

Edin Dzeko ka pasur rastin më të mirë për të shënuar, por Pyatov bllokoi gjuajtjen e tij që mund të kalonte në avantazh formacionin verdhekuq. Ndërsa rasti i Bernard, gjuajtja e të cilit u devijua nga Florenzi, mund të ishte shndërruar në gol. Megjithatë, çdo gjë mbeti për t’u përcaktuar në pjesën e dytë.

Ekipi i Di Francesco-s hyn në fushë më tepër i karikuar dhe vihet në kërkim të golit. Edin Dzeko në minutën e 52-të merr një pasim nga Strootman. Sulmuesi qëndron në kufijtë e pozicionit jashtë loje, ndërsa përfiton në momentin e fundit duke gjuajtur me të djathtën dhe çon topin në rrjetë. Roma në avantazh, 1-0.

Romanët kontrollojnë mirë rezultatin në fushën e tyre, duke krijuar sërish presion në portën e ukrainasve për të siguruar rezultatin dhe kualifikimin, por e kanë tepër të vështirë që të gjejnë golin e dytë.

Në minutën e 79 Dzeko krijon një tjetër rast të pastër për gol, por Ordets ndërhyn duke ndërprerë aksionin në mënyrën e parregullt dhe arbitri kryesor nuk e kursen kartonin për lojtarin e Shakhtar. Ky i fundit lë ekipin e tij me një lojtar më pak në fushën e lojës, gjë që i shërben ekipit të Di Francesco-s për të kontrolluar lojën dhe rezultatin.

Por, edhe pse ishin në inferioritet numerik, lojtarët e Shakhtar krijojnë raste për shënim. Në minutën e 84-t është Butko që gjuan drejt kuadratit, por mbrojtja e Roma-s është e gatshme të largojë në kohë rrezikun. Deri në fund Roma bën qëndresë dhe kualifikohet në fazën çerekfinale të Champions League.