Kofi Annan, afrikani i parë me ngjyrë që është emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, ka vdekur në moshën 80 vjeçare në Zvicër, kanë njoftuar ndihmësit e tij.

Ai ka vdekur paqësisht të shtunën, pas një sëmundjeje të shkurtër, ka thënë fondacioni i emëruar sipas emrit të tij.

Annan ka shërbyer dy mandate si shef i OKB-së, nga viti 1997 deri më 2006 dhe ishte nderuar me Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij humanitare.

Më vonë ai ka shërbyer si i dërguar special i OKB-së për Siri, duke udhëhequr përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore për konfliktin në këtë shtet.

Teksa është njoftuar për vdekjen e tij, Fondacioni Kofi Annan, e ka përshkruar atë si “burrështetas botëror dhe shumë të përkushtuar gjatë tërë jetës së tij për të krijuar paqe në botë”.

Diplomati me orgjinë nga Gana, ka jetuar në Gjenevë për shumë vjet para vdekjes së tij.

Ai është nderuar me Çmimin Nobel për Paqe më 2001, për ndihmën që ka dhënë në ringjalljen e trupit ndërkombëtar gjatë periudhës që ka përkuar me luftën në Irak dhe pandeminë me HIV/Aids.

Sidoqoftë ai nuk ka qenë imun ndaj kritikave.

Shumë persona e kanë fajësuar atë për dështim të OKB-së për të mënjanuar gjonocidin në Ruandë në vitet e 1990-ta, kur ai ka qenë në krye të operacioneve të organizatës.

Më vonë, pas pushtimit të Irakut nga Shtetet e Bashkuara, ai dhe djali i tij janë akuzuar për përfshirje në skandalin e “naftës për ushqim”, gjë që më pas nxiti thirrje për dorëheqje, mirëpo në fund ai është shfajësuar.

It is with immense sadness that the Annan family and the Kofi Annan Foundation announce that Kofi Annan, former Secretary General of the United Nations and Nobel Peace Laureate, passed away peacefully on Saturday 18th August after a short illness…

Në një intervistë dhënë BBC-së, për të shënuar ditëlindjen e tij të 80-të në muajin prill, Annan, ka pranuar mangësitë e OKB-së, duke thënë se e njëjta “mund të përmirësohet, mirëpo nëse nuk do të ekzisonte juve do t’iu duhej ta krijonit atë”.

“Unë jam një optimist kryeneç, kam lindur optimist dhe do të vazhdoj të jem optimist”, ka thënë ai.

Shefi aktual i OKB-së, Antonio Guterres ka drejtuar nderimet për paraardhësin e tij, duke e përshkruar Anannin si “forcë drejtuese të së mirës”.

“Në shumë mënyra, Kofi Annan ka qenë vetë OKB-ja. Ai ka udhëhequr organizatën në mijëvjeçarin e ri me dinjitet dhe vendosmëri të pakrahasueshme”, ka thënë ai në një deklaratë.

Rrugëtimi drejt pushtetit

Kofi Atta Anan dhe motra e tij, Efua Atta kanë lindur në qytetin Kumasi në prill të vitit 1938. Emrat e parë të binjakëve kanë kuptim e “të lindurit të premten” në Akan, derisa emri i mesëm nënkupton faktin se ata janë “binjakë”.

Ai është rritur në një familje të pasur, gjyshërit e tij kanë qenë udhëheqës, derisa babai i tij ishte emëruar guvernator i provincës, derisa vendi ishte ende nën sundimin britanik.

Dy ditë para se ai të festonte ditëlindjen e 19-të, Gana ka fituar pavarësinë.

Duke studiuar së bashku me gjeneratën e parë të shtetit të pavarur, ai më pas ka vazhduar rrugën në Kolegjin Macalester në SHBA dhe më vonë ka fituar punën e tij të parë në OKB.

Duke nisur karrierën e tij si zyrtar për financa, emri i tij është dëgjuar në botë kur është emëruar Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së më 1997.

“Ringjallësi” i OKB-së

Annan ka drejtuar organizatën, e cila pas 52 vjetëve ka qenë në prag të falimentimit.

Si pasojë e kësaj gjendje ai ka reformuar institucionin duke zvogëluar 1,000 vende të punës nga gjithsej 6,000 pozita sa kanë qenë në selinë e organizatës në Nju Jork, si dhe ka tentuar të bindë shtetet anëtare që kanë hezituar të marrin përgjegjësinë për tragjeditë në botë.

Annan ka shtyrë edhe SHBA-në që të paguajë një borxh të vjetër që kishte ndaj OKB-së.

Përveç tjerash, ai ka kthyer vëmendjen edhe tek e ardhmja, duke prezantuar projektin Synimet e Mijëvjeçarit, për realizimin e të cilit ishte vënë cak viti 2015 dhe që përfshinte përgjysmimin e shifrave të varfërisë ekstreme si dhe ndalimin e shpërndarjes së virusit, HIV/Aids.

Kur është nderuar me Çmimin Nobel për Paqe më 2001, ai është cilësuar si person që i ka kthyer “jetën organizatës”.

Në po të njëjtin vit, ai është rizgjedhur në mënyrë unanime për një mandat të dytë si udhëheqës i OKB-së.

Annan dhe Kosova

Kofi Annan ka drejtuar organizatën ndërkombëtare në periudhën e luftës në Kosovë. Ai ka realizuar dy herë vizita në këtë vend në kohë tejet të rëndësishme, fillimisht në vitin 1999 dhe pas përfundimit të luftës më 2002.

Annan ishte përgjegjës edhe për emërimin e shefave të misionit të UNMIK-ut në Kosovë deri në vitin 2006.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë sot se, Annan “pati rol të madh në kauzën tonë për liri”

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka përmendur edhe mbështetjen e ish-kreut të OKB-së për bombardimet e NATO-s.

“Fituesi i çmimit Nobel, pati rol të madh në kauzën tonë për liri, duke mbështetur bombardimet e NATO-s dhe më pas shtetndërtimin e Kosovës. Do ta kujtojmë përherë, njeriun që kauzës sonë për liri dhe pavarësi i dha mbështetjen e duhur”, është shprehur Haradinaj.