2017-ta do të mbahet mend për shumëçka, pati momente të gëzueshme dhe pozitive, por edhe tragjike dhe hidhura. Në këtë vit u ndanë nga jeta disa personalitete shumë të njohura të jetës publike shqiptare. Mes personazheve më të njohura që ndërruan jetë këtë vit, janë Dritëro Agolli, Françesk Radi, Dritan Prifti dhe Agim Sallaku.

Redaksia e newsbomb.al ka bërë një rendtije të 12 personaliteteve të shquara në fusha të ndryshme që 2017-ta i mori me vete dhe që do të mbahen mend gjatë për kontributin e tyre.

1. Anita Take – Këngëtarja e njohur u nda nga jeta në datë 12 janar të vitit 2017 pas një sëmundje të gjatë. Përveç zërit dhe pasionit për këngën, Anita Take u njoh dhe u martua me një nga kompozitorët më të shquar të muzikës Agim Prodani.

2.Dritëro Agolli – Kolosi i letrave shqipe mbylli sytë për herë të fundit më datë 3 shkurt të këtij viti. Agolli është konsideruar si një ndër emrat më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Ai ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare, për shkak të një sëmundjeje në mushkëri që e mundonte prej vitesh.

3.Françesk Radi – Kantautori i njohur për zërin e tij meliodioz dhe këngët shumë të bukurra ndërroi jetë në menyrë të papritur në datë 27 mars të këtij viti. Ai u largua nga kjo jetë për shkak të një hemoragjie cerebrale që e ndau atë nga të afërmit dhe gjithë dashamirësit në moshën 67-vjeçare.

4. Gjovalin Kadeli- Ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe LSI ndërroi jetë si pasojë e një sëmundje të rëndë nga e cila vuante prej kohësh. Ai u shua në moshën 52-vjeçare më datë 26 maj të këtij viti. Kadeli ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë për dy legjislatura dhe anëtar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat.

5.Arlinda Canaj – Ndarja nga jeta e gazetares së njohur shkaktoi një tronditje të madhe për rrethanat e ndarjes nga jeta, gazetarja u vetëvra. Arlinda Canaj ndërroi jetë në 24 gusht, në moshën 46-vjeçare.

6.Hajrie Rondo – Aktorja e madhe shqiptare kishte kohë që luftonte me një sëmundje të rëndë. Në momentin kur u mendua se ajo e kishte fituar betejën e saj, pasi bëri dhe disa dalje publike duke u kthyer në frymëzim për shumë njerëz, aktorja Rondo ndërroi jetë nga e njëjta sëmundje më datë 9 shtator. Ajo u shua në moshën 66-vjeçare duke lënë pas një vepër që do mbahet mend gjatë dhe role që janë ngulitur në mendjet e shqiptarëve.

7.Dritan Prifti – Ai është një politikanët më të përfolur në dekadën e fundit në Shqipëri, që të gjithë e deshën dhe të gjithë urryen në kohë të ndryshme. Ish-ministri i Energjetikës dhe ish-deputet i LSI, u nda nga jeta më datë 12 tetor pas një beteje të gjatë me një sëmundjeje të rëndë në gjak, që në fund ai nuk e mposhti dot. Dritan Prifti u nda nga jeta në moshën 49-vjeçare.

8.Adelajda Xhamani – Ndarja nga jeta e gazetares së njohur është një nga ato ngjarje që preku çdo kënd që kishte akses në mediat tradicionale dhe ato sociale. Ish-banorja e “Big Brother” ndërroi jetë në datë 29 tetor në moshën 31-vjeçare pas një arresti kardiak dhe një sëmundje që ajo nuk kishte pasur dijeni. Për vetë moshën e re, por edhe rrethanat e çuditshme për mënyrën se si ajo u nda nga jeta, Adelajda Xhamani shkaktoi një shok të vërtetë në opinion publik shqiptar.

9. Mihal Luarasi – Regjisori u nga jeta në moshën 88-vjeçare. Ai vuante nga një sërë sëmundjesh të lidhura me moshën dhe u nda nga jeta në 30 tetor 2017. Luarasi. Mihal Luarasi la pas vepra të suksesshme në film dhe dramaturgji.

10.Drita Agollli – Ajo ishte ndër të parat intelektuale shqiptare që formohej në fushën e kinemasë, Dirita Agolli u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare më datë 1 nëntor të këtij viti për shkaqe natyrale. Ajo do të mbahet mend gjatë si regjisorja e parë femër në Shqipëri dhe për interpretimin në disa role të spikatura.

11.Kasëm Trebeshina – Një nga desidentët më të njohur shqiptarë gjatë regjimit komunist, i njohur ndryshe me nofkën “Kafka shqiptar”, u shua në datë 6 nëntor në moshën 92-vjeçare. Ai ndërroi jetë në në Ankara të Turqisë, ku jetonte prej vitesh me vajzën e tij.

12.Erinolda Isufaj – Gazetarja e njohur e emisionit investigativ “Stop” ndërroi jetë tragjikisht në një aksident automobilistik. Isufaj u largua nga kjo jetë më datë 11 nëntor të këtij viti në një moshë shumë të hershme vetëm 24 vjeç.

13. Mërkur Bozgo – Aktori i njohur është ndarë nga jeta në moshën 80 vjeçare. Ai vuante nga një sëmundje e rëndë, nga e cila ndërroi jetë në 11 nëntor 2017.

14.Aleksandër Lalo – Vdekja e kompozitorit të famshëm ishte një nga më të bujshmet që u pasqyrua gjerë në mediat shqiptare, jo vetëm për figurën dhe punën e tij tejet të madhe në muzikën shqiptare, por edhe për një tjetër histori disi të çuditshme. Lalo u nda nga jeta në datën 19 nëntor në mbrëmje, kur njëkohësisht në një nga televizionet kombëtare shiptare transmetohej një spektakël muzikor “live” ku edhe kompozitori merrte pjesë në juri. Për këtë arsye, moshën vetëm 68 vjeçare, por edhe vetë karakterin e tij, ndarja nga jeta e Aleksandër Lalos shokoi një pjesë të madhe të opinionit publik.

15. Agim Sallaku – Në ditët e fundit të vitit 2017-të u nda nga jeta edhe një nga mjekët më të spikatur shqiptar, që kishte shpëtuar shumë jetë gjatë punës së tij, por që humbi betejën kryesore, atë me jetën e tij. Agim Sallaku ndërroi jetë në datë 28 dhjetor në Turqi, ku po kurohej nga një sëmundje e rëndë.

Viti që po lëmë pas mori vetë shumë figura dhe personalitete të njohura, në vitin që vjen të gjithë shpresojmë që të ketë më pak vdekje dhe më shumë njerëz që spikasin në fusha të ndryshme.