Autoritetet spanjolle njoftuan sot sekuestrimin e rreth 6 tonëve kokainë pranë një porti, me vlerë 210 milionë euro, një nga sekuestrimet më të bujshme të kokainës në Evropë, sipas Ministrisë së Brendshme spanjolle.

”Gardat Civile dhe Doganore gjetën 5,88 tonë kokainë “të një cilësie mjaft të pastër” më 28 nëntor, e fshehur në një kontenier që transportonte banane, i sapombërritur në portin e Algesiras në Andaluzi, me origjinë nga Medellin në Kolumbi”, sipas deklaratës nga Ministria e Brendshme spanjolle.

Policia arrestoi një spanjoll që drejtonte sektorin e importeve të shoqërisë për shpërndarjen e frutave dhe perimeve me seli në Barcelonë, që përdorte këtë kontenier.

Dy bashkëpunëtorë u arrestuan gjithashtu si të dyshuarit kryesorë, një shtetas nga Hondurasi dhe një portugez, të dy me banim në Barcelonë.

“Kjo është sasia më e madhe e sekuestruar në një kontenier në Spanjë”, shkruan ministri i Brendshëm spanjoll si edhe një nga sasitë më të mëdha në Evropë.

Destinacioni final i kontenierit të bananave ishte njësia bashkiake katalanase El Prat de Llobregat, ku ndodhet aeroporti i Barcelonës.