Sonte në orën 22:00 luhet Barcelona – Sevilla, e vlefshme për Superkupën e Spanjës. Sfida e parë zyrtare për katalanasit që mund të shndërrohet në një ndeshje historike për Leo Messin. Superylli argjentinas është shumë pranë një rekordi fantastik, pasi nëse Barcelona fiton ndeshjen e sotme ai do të shndërrohet në lojtarin që ka më shumë trofe me klubin blaugrana, plot 33.

Momentalisht Messi është në kuotën e 32 trofe, po aq sa edhe mjshtri Andres Iniesta, por sonte do të ketë mundësinë ta kalojë në këtë renditje, duke qenë se spanjolli tashmë është larguar për të luajtur në Japoni, ku po mahnit tifozët në Azinë e largët.
Numri 10 ka fituar 9 herë kampionatin spanjoll, 6 herë Kupën e Spanjës, 7 herë Superkupën e Spanjës, 4 herë Champions League, 3 herë Superkupën e Europës dhe 3 herë Botërorin e Klubeve. Një kabinet i mbushur me trofe dhe medalje, që sonte mund të shtohet edhe me një tjetër.
Të njëjtin bilanc ka edhe Iniesta, pasi të dy kanë qenë shok skuadre për vite me radhë dhe kanë shkruar historinë modere dhe më të lavdishme të Barcelonës.

Pleshti do të niste kështu një sezon në mënyrën më të veçantë të mundshme duke u bërë lojtari i skuadrës me më shumë trofe të fituar. Fitorja e Barcelonës do të ndihmonte edhe dy të tjerë t’i afroheshin shifrës historike. Për momentin Pique dhe Busquets janë në kutëon e 27 trofeve të fituar me fanellën blaugrana. Edhe pse një legjendë tjetër e klubit, Xavi e ka mbyllur në kuotën e 25 trofeve, ndërsa Puyol e Valdès kanë “vetëm” nga 21 të tillë. Megjithatë, rekordin absolut për trofe të fituar me klubet e ka Dani Alves, ish-i Barcelonës, i cili me Bahia, Barcelona, Sevilla, Juventus e Paris SG ka mundur të mbledhë 36 trofe.