Nga Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt

Diktaturat haptazi të tilla – në formën e fashizmit, komunizmit, apo sundimit ushtarak – janë zhdukur në pjesën më të madhe të botës.

Grushtet ushtarake të shtetit, dhe format e tjera të marrjes së dhunshme të pushtetit janë të rralla. Shumica e vendeve, zhvillojnë zgjedhje të rregullta. Demokracitë janë duke vdekur, por me mjete të ndryshme.

Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, demokracitë kanë marrë më shumë goditje jo nga gjeneralët dhe ushtarët, por nga vetë qeveritë e zgjedhura.

Ashtu si Hugo Chavez në Venezuelë, liderët e zgjedhur me votë, kanë përmbysur institucionet demokratike në Gjeorgji, Hungari, Nikaragua, Peru, Filipine, Poloni, Rusi, Sri Lanka, Turqi dhe Ukrainë.

Rrënimi i demokracisë, fillon sot në kutinë e votimit. Rruga elektorale për sabotimin e demokracisë, është rrezikshmërisht mashtruese. Me një grusht shteti klasik, si në Kilin e Pinochetit, vdekja e një demokracie është e menjëhershme, dhe e dukshme për të gjithë.

Pallati presidencial shkrumbohet nga flakët. Presidenti vritet, burgoset ose dërgohet në mërgim. Kushtetuta pezullohet apo braktiset.

Sipas mënyrës zgjedhore, asnjë nga këto gjëra nuk ndodh. S’ka tanke në rrugë. Kushtetuta dhe institucione të tjera, formalisht vazhdojnë të ekzistojnë. Njerëzit ende votojnë. Autokratët e zgjedhur, ruajnë një fasadë të demokracisë, ndërsa gërryejnë përmbajtjen e saj.

Shumë përpjekje të qeverisë për të përmbysur demokracinë janë “ligjore”, në kuptimin që ato miratohen nga legjislativi apo pranohen nga gjykatat.

Ato madje mund të portretizohen, si përpjekje për të përmirësuar demokracinë – duke e bërë gjyqësorin më efikas, duke luftuar korrupsionin, ose duke pastruar procesin zgjedhor.

Gazetat ende dalin në treg, por janë të blera nga pushteti, ose nisin të vetëcensurohen. Qytetarët vazhdojnë të kritikojnë qeverinë, por shpesh e gjejnë veten përballë gjobave apo problemeve të tjera ligjore. Kjo shkakton një konfuzion publik.

Njerëzit nuk e kuptojnë menjëherë se çfarë po ndodh. Shumë prej tyre vazhdojnë të besojnë se po jetojnë nën një demokraci.

Për shkak se nuk ka asnjë moment të vetëm – asnjë grusht shteti, shpallje të ligjit ushtarak, apo pezullim të kushtetutës – në të cilin regjimi duket se “kalon vijën e kuqe” drejt diktaturës, asgjë nuk mund të aktivizojë “kambanat e alarmit” të shoqërisë.

Ata që denoncojnë abuzimin e qeverisë, mund të shpërfillen si njerëz që po i zmadhojnë gjërat, apo si qaramanë të vetmuar. Erozioni i demokracisë është, për shumë njerëz, pothuajse i padukshëm.

Sa e prekshme është demokracia amerikane, ndaj kësaj forme të rrënimit të heshtur? Themelet e demokracisë sonë janë sigurisht më të forta se ato në Venezuelë, Turqi apo Hungari.

Por a janë mjaftueshëm të forta? Përgjigjja ndaj një pyetjeje të tillë, kërkon largimin nga titujt e përditshëm mediatikë për të zgjeruar pikëpamjen tonë, duke nxjerrë mësime nga përvojat e demokracive të tjera në mbarë botën, si dhe përgjatë gjithë historisë.

Një qasje krahasuese, zbulon se si autokratët e zgjedhur në pjesë të ndryshme të botës, përdorin strategji shumë të ngjashme për të përmbysur institucionet demokratike.

Njohja se si qytetarët në demokracitë e tjera i kanë rezistuar me sukses autokratëve të zgjedhur me votë, ose pse tragjikisht kanë dështuar ta bëjnë këtë, është thelbësore për ata që kërkojnë të mbrojnë sot demokracinë amerikane.

Ne e dimë se demagogët ekstremistë dalin herë pas here në të gjitha shoqëritë, madje edhe në demokracitë e shëndetshme.

Një test thelbësor për demokracitë nuk është nëse figura të tilla dalin, por nëse udhëheqësit politikë, dhe veçanërisht partitë politike, punojnë për t’i parandaluar ata të fitojnë pushtet në poste kyçe.

Izolimi i populistëve, kërkon guxim politik. Por kur frika, oportunizmi ose llogaritjet e gabuara i udhëheqin partitë tradicionale drejt ngjitjes në krye të parisë të ekstremistëve, demokracia është e rrezikuar.

Vetëm institucionet, nuk janë të mjaftueshme për t’i frenuar autokratët e zgjedhur me votë. Kushtetuta duhet të mbrohet – nga partitë politike dhe qytetarët e organizuar, por edhe nga normat demokratike.

Pa norma të forta, kontrollet dhe balancat kushtetuese, nuk shërbejnë si pengesa të demokracisë sikurse i imagjinojmë ne të jenë. Institucionet shndërrohen në armë politike, të përdorura me forcë nga ata që i kontrollojnë ato, kundër atyre që nuk e bëjnë këtë.

Kështu autokratët e zgjedhur e përmbysin demokracinë – duke vënën nën kontroll gjykatat dhe agjencive të tjera neutrale, blejnë median dhe sektorin privat, dhe rishkruajnë rregullat të politikës për të anuar në favor të tyre, në fushën e lojës kundër kundërshtarëve.

Amerika dështoi testin e parë në nëntor 2016, kur ne zgjodhëm një president me një besnikëri të dyshimtë ndaj normave demokratike.

Fitorja papritur e Donald Trump, u mundësua jo vetëm nga pakënaqësia publike, por edhe nga dështimi i Partisë Republikane për të frenuar një demagog ekstremist brenda radhëve të veta, të fitonte emërimin si kandidat zyrtar për president.

Sa serioz është tani kërcënimi? Shumë vëzhgues, gjejnë ngushëllim tek Kushtetuta jonë, e cila është projektuar pikërisht për të penguar dhe mbajtur nën kontroll demagogë si Trump.

Sistemi medisonian i kontrollit dhe balancës, i ka kaluar më shumë se dy shekuj ekzistencë. Ai i mbijetoi Luftës Civile, Depresionit të Madh, Luftës e Ftohtë dhe Watergate. Sigurisht, që do të jetë në gjendje t’i mbijetojë edhe Trump.

Por ne jemi më pak të sigurt. Historikisht, sistemi ynë i kontrollit dhe balancave ka funksionuar shumë mirë – por jo tërësisht, për shkak të sistemit kushtetues të hartuar nga themeluesit e vendit tonë. Demokracitë funksionojnë më së miri – dhe mbijetojnë më gjatë – kur kushtetutat përforcohen nga normat e pashkruara demokratike.

Dy norma themelor,e kanë ruajtur kontrollet dhe balancat e SHBA-së, në mënyrat që kemi filluar t’i marrim si të mirëqena: tolerancën reciproke, dhe idenë se politikanët duhet të ushtrojnë vetëpërmbajtje në ushtrimin e detyrës së tyre. Këto dy norma, mbizotëruan demokracisë amerikane për shumicën e shekullit të XX.

Por sot, mburoja e demokracisë amerikane po dobësohet. Erozioni i normave tona demokratike filloi në vitet 1980-1990, dhe u përshpejtua në vitet 2000. Trump mund ta ketë përshpejtuar këtë proces, por ai nuk e ka shkaktuar atë. Sfidat me të cilat përballet demokracia amerikane, janë më të thella.

Dobësimi i normave tona demokratike, është i rrënjosur në polarizimin ekstrem politik- ai që shtrihet përtej dallimeve politike, në një konflikt ekzistencial mbi racën dhe kulturën.

Përpjekjet e Amerikës për të arritur barazinë racore, ndërsa shoqëria jonë bëhet gjithnjë e më e madhe, kanë nxitur një reagim të fshehtë dhe e kanë thelluar polarizimin.

Dhe nëse ka një gjë që është e qartë nga studimi i dështimeve përgjatë historisë, është se polarizimi ekstrem mund të vrasë demokracitë. Prandaj, ka arsye për t’u alarmuar.

Jo vetëm që ishim ne amerikanët që zgjodhëm një demagog në krye të vendit në vitin 2016, por ne e bëmë këtë në një kohë kur normat që mbronin dikur demokracinë tona, tashmë janë duke u zbehur.

Por nëse përvojat e vendeve të tjera na mësojnë se ky polarizim mund të vrasë demokracitë, ato gjithashtu na mësojnë edhe se rrënimi nuk është as i pashmangshëm, dhe as i pakthyeshëm.

Shumë amerikanë, janë të frikësuar me të drejtë nga ajo që po ndodh në vendin tonë. Por mbrojtja e demokracisë sonë, kërkon më shumë se sa thjesht shfaqjen e ndjenjës së tmerrit apo zemërimit. Ne duhet të jemi të përulur, dhe të guximshëm.

Duhet të mësojmë nga vendet e tjera, për të parë shenjat paralajmëruese – si dhe të njohim alarmet e rreme.

Ne duhet të jemi të vetëdijshëm, për hapat fatkeqe që kanë shkatërruar demokracitë e tjera.

Dhe ne duhet të shohim se si janë ngritur qytetarët, për të përballuar krizat e mëdha demokratike të së shkuarës, duke kapërcyer ndarjet e tyre të thella për të shmangur shkatërrimin.

Historia nuk përsëritet. Por ajo jehon. Premtimi i historisë, është se ne mund të gjejmë jehonën para se të jetë tepër vonë.

Shënim: Ky artikull, është një ekstrakt nga libri “Si vdesin demokracitë” nga Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt , profesorë mbi çështjet qeveritare në Universitetin e Harvardit në SHBA./The Guardian