Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë qëndrimit të tij sot në Shkup takimet me liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni i filloi me kreun e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Pas takimit me Ramën Sela u shpreh se sa i përket bashkëpunimit për raundin e dytë të zgjedhjeve folën vetë qytetarët me votën e tyre me 15 tetor.

“Për këtë folën qytetarët më 15 tetor. Nuk ka asnjë logjik që unë tu them se do të kem bashkëpunim me BDI-në, kur jemi në garë me BDI-në, edhe në Dibër, Strugë, Gostivar dhe komuna tjera. Sovrani foli më 15 tetor dhe natyrisht veprimet tona politike do të jenë të bazuar në bazë të mesazhit që e dha sovrani në raundin e parë”, deklaroi Sela.

Pas takimit me Selën Rama ka vazhduar takimin me liderin BDI-së, Ali Ahmeti. Në fokus të bisedës ishin zgjedhjet lokale në vend.

“Ishte një takim shumë i dobishëm, e informova Ramën mbi rrjedhat politike, për zgjedhjet që u zhvilluan të dielën sepse kishte mjaft interesim nga Rama. Ai më inkurajoi që po kështu të vazhdojmë edhe në rrethin e dytë që R. e Maqedonisë të vazhdojë në proceset e nisura drejt reformave në gjyqësi dhe drejt rrugës së nisur euroatlantike. Kisha interesim për bashkëpunim edhe më të thellë mbi vendet tona për zbatim dhe materializim të të gjitha marrëveshjeve që janë bërë mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë”, tha Ahmeti

Kreu i Lëvizjes Besa, Billal Kasami, ishte lideri i tretë me të cilin u takua kryeministri i Shqipërisë. Pas takimit me Ramën Kasmi u shpreh se lidhur me koalicionet për raundin e dytë të zgjedhjeve do të filloj bisedime me kreun e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, për ti parë mundësitë e bashkëpinimit.

“Sot do të komunikoj edhe me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët Ziadin Selën, që të fillojmë bisedimet dhe t’i konkretizojmë mundësitë e bashkëpunimit për balotazh që në të gjithë ato komuna ku ne shkojmë të mund të maksimizojmë rezultatin e zgjedhjeve”, u shpreh Billal Kasaimi