Që kur Aleanca për Shqiptarët braktisi Qeverinë e Kryeministrit Zaev, postet e tyre ende nuk janë zëvendësuar me të tjerë. Që do të thotë se ende nuk kemi zëvendës ministra në disa Ministri, si psh në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila deri para një muaji ishte zonja Arta Toçi.

Sipas gazetarit Arben Ratkoceri ekzistojnë dy arsye pse deri më tani nuk janë mbushur vendet e zbrazëta në Qeveri që lëshoi ASH.

E para sipas tij është se Qeveria u ballafaqua me dy tema si është ligji për përdorimin e gjuhëve dhe çështja e emrit dhe për atë zëvendësimet e zyrtarëve mbeten si prioritet tercial.

“Këtu mund të jenë dy arsye. E para gjykoj se ditëve të fundit Qeveria u ballafaqua me dy tema të mëdha, ajo e gjuhës shqipe dhe çështja e emrit. Gjë që zëvendësimet e zyrtarëve të dorëhequr të ASH kaluan si prioritet tercial. Dhe e dyta, duket se kryeministri Zaev vazhdon të kalkulon me deputetët tjerë shqiptarë parasegjithash. Fraksionet në Lëvizjen BESA dhe PDSH që pozicionet e ASH t’i zëvendëson prap me shqiptarë duke pasur parasysh se aktualisht Qeveria është shumë fragjile dhe e brishtë për nga numri i deputetëve, dhe patjetër duhet ta rritë numrin e deputetëve si përkrahës të Qeverisë”, ka deklaruar për Zhurnal, gazetari Arben Ratkoceri.

Nga ana tjetër analisti politik Dame Çkatroski për Zhurnal ka deklaruar se momentalisht shumë rëndë po zhvillohen bisedimet me partitë tjera politike.

Çkatroski thotë se ASH mund të jetë nën presion të madh edhe nga brenda edhe nga jashtë sepse sipas tij kjo parti doli shumë më naive sesa Lëvizja BESA.

“Për momentin shumë rëndë po zhvillohen bisedimet me partitë tjera politike sidomos të kampusit shqiptar. Assesi të ketë shumicë të përshtatshme në Parlament dhe për këtë shkak është në një fazë të qetësisë. ASH mundet të jetë nën një presion të madh nga brenda por edhe nga jashtë, në veçanti që ato dolen shumë më naiv se BESA që tani me 2+3 deputet, veçmë e shoh si parti në Qeveri”, ka deklaruar për Zhurnal, analisti politik Dame Çkatroski.

Aleanca dhe partnerët e saj të koalicionit qeverisës, ashpërsuan tonet kur Selës iu morr Ministria e Shëndetësisë. Venko Filipçe ishte emri që Zaev e zgjodhi për ta zëvendësuar ish ministrin e shëndetësisë, Arben Taravarin i cili la ministrinë për tu bërë i pari i Komunës së Gostivarit. Në këmbim të Shëndetësisë, Aleancës iu ofrua posti i zv/kryeministrit për Reforma, post ky i papranueshëm për Selën. Në shenj revolte, Aleanca për Shqiptarët la qeverinë për të kaluar në opozitë.