Pikërisht sot më 12 gusht bëhen plot 17 vite nga vrasja makabre e banorëve të Lubotenit nga ana e forcave të policisë Maqedonase nën drejtimin e Lube Boshkovskit dhe personit përgjegjës për këtë masakër Johan Tarçullovskit.

Por çka në fakt ndryshoi gjithë këto vite, a u mësua diçka nga ajo masakër ndaj civilëve të vrarë në Luboten dhe si po vepron politika shqiptare!?

Sot Lube Boshkovski është partner qeveritar në koalicionin e Zoran Zaevit bashkë me partitë shqiptare BDI dhe PDSH.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 kur Lube Boshkovski u shfaq në krah të Teuta Arifit për të ndihmuar atë të fitojë mandatin për të udhëhequr me komunën e Tetovës, shumë shqiptarë patën reaguar për faktin se si mundet të bëhen bashkë BDI me Lube Boshkovskin kur dihet se ky i fundit ka qenë një ndër përgjegjësit kryesor të masakrës të Lubotenit. Një ndër ata që akuzonte BDI-në për bashkëpunim me Lube Boshkvskin ka qenë edhe ish deputeti Zeqirija Ibrahimi i cili poashtu si kandidat për kryetar i Komunës së Çairit humbi nga BDI pikërisht duke i falënderuar ndihmës që kësaj të fundit i dha LSDM dhe Lube Boshkovski.

Por sot, edhe BDI bashkë me Zeqirija Ibrahimi janë partnerë koalicioni me LSDM dhe Lube Boshkovskin. Më poshtë ju sjellim një shkrim të publikuar nga ish deputeti Ibrahimi në vitin 2015 pikërisht në përvjetorin e 14 të masakrës të Lubotenit:

“Në vend që lubotenasve të mi t’u shpjegohet se pse ndodhi masakra e Lubotenit dhe kush ishte përgjegjës për të,
Në vend që lubotenasve të mi t’u shpjegohet se pse, edhe pasi u ndëshkua njëri nga kriminelët që e bëri atë masakër, Luboteni nuk u dëmshpërblye kurrë me asgjë,
Në vend që lubotenasve të mi t’u shpjegohet se pse BDI-ja, si pjesë e Qeverisë, e priti me lule kriminelin Tarçullovski, të dënuar për krime lufte ndaj Lubotenit,
Në vend që lubotenasve të mi t’u shpjegohet se pse akoma Luboteni nuk ka ujë dhe është lënë në harresë të plotë,
Në vend që lubotenasve të mi t’u kërkohet falje që i tradhtuan në luftë dhe i mashtruan në paqe,
Pafytyrësia shkon aq larg sa ata sot pa pikë perde e turpi shkojnë e fotografohen në varrezat e Lubotenit dhe shtiren se po u dhimbset Luboteni dhe të vrarët në atë masakër.
Kësaj pafytyrësie ia ka lakmi edhe Refet Elmazi – si shpërblyes e falënderues i Boshkovskit për atë masakër dhe, bile, edhe Vuçiqi vetë, i cili para një muaji nuk kaloi kaq mirë në Srebrenicë!
Turp!”, shkroi Ibrahimi.

Por, që ironia të jetë më e madhe sot në vitin 2018, përvjetori i 17 i masakrës të Lubotenit i gjen bashkë si partnerë koalicioni ish deputetin Zeqirija Ibrahimi dhe Lube Boshkovskin. Përdersa Boshkovski është këshilltar për investime të huaja i kryeministrit Zoran Zaev, Zeqirija Ibrahimi është këshilltar i jashtëm i Ministrit të Kulturës Asaf Ademi.