Ka pasur dikur një kategori njerëzish që blinin libra, me të vetmin qëllim, për dekoruar dhomat e pritjes. Libri përdorej prej tyre si një instrument për të falsifikuar imazhin, duke u dukur si njeri që lexon. Në kushtet kur ende shkonim për vizita në shtëpitë e njëri-tjetrit, rafti i librave ishte një aksesor që iu ndihmonte të zotëve të shtëpisë për të krijuar aparencën e njeriut të kulturuar.

Libri përdorej në këtë mënyrë, si një objekt i ushtrimit të vanitetit, në një shoqëri të kompleksuar si ajo e popullsisë qytetare në kohën e diktaturës. Ai përdorej më shumë si një aksesor snobizmi për të krijuar me mjete artificiale profilin e intelektualit sesa si një mjet për të shtuar dijet dhe njohuritë. Madje kishte raste kur librat përzgjidheshin edhe mbi bazë të ngjyrës së kopertinës, e cila perceptohej nga ambisat se i shkonte estetikisht mjedisit ku ekspozohej, bie fjala perdeve apo mobiljeve të dhomës së pritjes.

Sot ka një tjetër fenomen tek një kategori njerëzish, kryesisht tek të rinjtë. Librat përdoren shpesh për të pozuar përpara aparatit në plazh apo në lokal, për t’i aploduar menjëherë më pas, në kohë reale, në facebook apo instagram. Madje, është e sigurt se shumica prej tyre, e mbyll librin menjëherë pas postimit, për të ndjekur ecurinë e lajkeve. Evoluimi i botimeve në Shqipëri duket se ka ecur nga librat për raft, në libra për shezlon.

Prurjet e shtëpive botuese këtë vit, gjatë panairit të librit të mbajtur këto ditë në Tiranë, dëshmonin një varfëri trishtuese. Tituj kompercialë, libra best seller, botime të dobëta mbushnin kudo stendat, ndërsa turma njerëzish shëtisnin mes tyre, sa për të kryer ritualin e përvitshëm të pjesëmarrjes në atë që, mediat e kanë quajtur “festë e librit”. Natyrisht, nuk munguan fotot e rastit, të dëshmuara sigurisht online, në rrjetet sociale.
Në fakt, Panairi duhet të shërbejë, jo si një pazar librash, por si një event ku botuesit, shkrimtarët, studiuesit kanë mundësi të kontaktojnë njëri-tjetrin, të diskutojnë problemet e tyre, të bashkëpunojnë apo të proklamojnë zhvillimet e nevojat në lidhje me fushën e botimeve. Panairi është një event që duhet të gëlojë nga organizimi i debateve, diskutimeve apo promovimeve. Por kjo nuk ndodh.

Në realitet, ky panair shërbeu vetëm si një supermarket ku shiten libra me ulje çmimi, në kurriz të librarive, të cilat, nga mungesa e lexuesit, kanë mbetur thuajse pa punë. Nga ky aspekt, panairi ishte në vetvete një selfie gjigande që, përveç vëmendies së mediave në një fundjavë pa lajme, nuk solli ndonjë vlerë për t’u shënuar në fushën e botimeve.Ergys Mërtiri