Katër milion euro ka qenë përfitimi më i lartë në Maqedoni që gjatë vitit 2016 e ka paraqitur një person, i cili sipas DAP-it është nga Shkupi. Nga 10 persona fizik me të ardhura më të larta vjetore, 8 prej tyre janë qytetarë të Shkupit, ndërsa dy të tjerët janë nga Struga dhe Koçani. Shumat që këta persona i kanë fituar janë vetëm ëndërr për shumicën e qytetarëve.

Numër i madh i qytetarëve, edhe atë 421.244 në deklaratën e tyre tatimore kanë paraqitur të ardhura që sillen prej 100 mijë deri 1 milion denarë, ndërsa rreth 22 mijë kanë paraqitur se kanë realizuar mbi 1 milion denarë- deklaroi Sanja Llukarevska, Drejtore në DAP.

Paga më e lartë bruto që është paguar në sektorin e shëndetit privat është 227 mijë euro. Në renditjen e 10 personave më të paguar në Maqedoni dominojnë shkupjanët. Shtatë prej tyre janë nga kryeqendra, dy nga Ohri ndërsa njëri nga Struga.

Shëndetësia, farmacia dhe teknologjitë informatike mbeten sektorët me paga më të larta- shtoi Sanja Llukarevska.

Rekorder sipas të ardhurave nga dividendi me 1.8 milion euro është një qytetarë i Shkupit, ndërsa përfitimi më i lartë kapital është 1.3 milion euro. Nga dhënia e pronës me qira më së shumti është pasuruar një tetovar i cili ka arkëtuar 1 milion euro. Njeriu më me fat nga lotaria, bastoret, kazinot dhe lojërat shpërblyese ka fituar 450 mijë euro. Në vitin 2016 deklarata vjetore tatimore kanë dorëzuar rreth 440 mijë qytetarë, të cilët kanë paraqitur të ardhura prej 2.8 miliard euro. Në ndërkohë, 63 mijë persona nuk e kanë respektuar afatin ligjor. Qytetarët do ta kenë për obligim të dorëzojnë deklaratat e tyre në sportelet e DAP-it vetëm edhe vitin e ardhshëm, ndërsa prej vitit 2019 këtë do ta bëjë drejtoria, ndërsa qytetarët vetëm do të duhet t’i konfirmojnë ose korrigjojnë të dhënat.

Të ardhurat më të larta në vitin 2016

Rroga bruto 2,7 milionë euro Shkup

Dividendi 1,8 milionë euro Shkup

Përfitimi kapital 1,3 milionë euro Shkup

Dhënie të pronës me qira 1,0 milionë euro Tetovë

Lojërat e fatit 447.000 euro Shkup

Të drejtat autoriale 282.000 euro Shkup