Blerona Brao, studente e Gjuhës dhe letërsisë shqipe nga Struga i ka shkruar një letër publike kryeministrit shqiptar Edi Rama, duke kërkuar që të thotë një fjalë për rastin e Kumanovës, pas dënimeve drakonike të gjykatës maqedonase.

Ja letra e dërguar edhe në adresë të INA:

Letër e hapur Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama

Kryeministër, me fitoren tuaj në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, sipas të gjitha premtimeve që i dhatë, shpresuam se angazhimi juaj për çështjen Shqiptare do të shtrihet edhe jashtë kufijve administrative të “Shqipërisë Londineze”.
Jemi të dëshpëruar, sidomos ne , Rinia Shqiptare e pjesëve të ndara të Shqipërisë, që sot mbajnë disa emra principatash! Ju nuk jeni fajtor për pozitën e palakmueshme të Popullit Shqiptar në Ballkan. Por, si kryeministër i shtetit amë dhe sipas dispozitave kushtetuese të R. së Shqipërisë, jeni të obliguar, së paku të ngritni zërin e arsyes në mbështetje të Popullit Shqiptar të mbetur padrejtësisht jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë. Në këto kohë, kur edhe “shteti” artificial i quajtur “maqedoni”, i përkëdhelur edhe nga ju personalisht, dënon me vdekje bijtë më të mirë të Kombit Shqiptar, mbështetja juaj është më shumë se një “preventivë”.
“Rasti i Kumanovës” është vetëm një hallkë nga zinxhiri i gjatë i “rasteve” të dënimeve, të vrasjeve dhe të torturimeve çnjerëzore të Shqiptarëve, në burgjet e këtij “shteti”.
Në emër të Rinisë Protestuese Shqiptare, unë studentja Blerona Brao, kërkoj urgjentisht një fjalë përkrahëse dhe publike nga ana juaj në këto çaste të vështira.”, ka shkruar Blerona Brao, studente e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në UT.