Në fuqi hyri Ligji për amnisti ndërsa nga e hëna burgjet do fillojnë ndarjen e dosjeve e të gjykuarve deri tek gjykatësit që u caktuan dënimin me burg. Pritet që nga e hëna të liri të dalin të burgosurit e parë të amnistuar.

Nga Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve thonë se burgjet e vendit po i përgatisin lëndët e të burgosurve të cilat në pajtueshmëri me ligjin duhet të lirohen. Të hënën i gjithë dokumentacioni duhet të jetë në dorë të gjykatësve.

Nga Gjykata Penale njoftuan se kanë formuar më shumë këshille penale ë cilat do vendosin për kërkesat për amnisti. Në njësinë e Shkupit tashmë kanë arritur qindra lëndë me çka ka gjasa që gjykata të punojë edhe gjatë fundjavës.

Me Ligjin për amnisti që u soll më datë 15 të këtij muaji në liri do të dalin rreth 800 persona ndërsa zvogëlim të dënimit për 30% do përfitojnë rreth 3000 të dënuar. Ligji nuk parashikon amnisti për veprat e vrasjeve, vepra penale të dhunës dhe vepra penale kundër shtetit.