MPB-ja po heton se kush qëndron prapa të ashtuquajturës “komunikatë” numër 6 të UÇK-së, me të cilën shqiptarëve u është bërë ultimatum që deri nesër në mesnatë t’i lënë të gjitha institucionet shtetërore në të cilat punojnë, për shkak të aktgjykimit për rastin “Lagja e Trimave”. Por, nga policia pohojnë se gjendja e sigurisë në vend është e qetë dhe stabile.

Lidhur me atë se kush qëndron prapa ultimatumit të UÇK-së, nuk janë në dijeni as krerët e SHVL-UÇK-së dhe të OVL-UÇK-së, Fazliu Veliu dhe Besim Hoda.

Komunikata ka ardhur dje pasdite përmes postës elektronike në redaksitë e disa mediave shqipe.

“Menjëherë pas publikimit të kësaj komunikate, Ministria e Punëve të Brendshme në koordinim me Prokurorinë Publike kompetente ndërmori masa përkatëse lidhur me ‘informatën’ në fjalë dhe aktivitetet po zhvillohen në atë drejtim. Njëkohësisht, MPB-ja thekson se në vazhdimësi ndiqen të gjitha rreziqet eventuale ndaj sigurisë, megjithatë për momentin nuk ka shantazhe serioze për gjendjen e sigurisë, lidhur edhe me ‘komunikatën’ në fjalë edhe përmbajtjen e saj. Sipas analizave dhe njohurive aktuale të MPB-së, gjendja e sigurisë në Republikën e Maqedonisë është e qetë dhe stabile”, thonë për POST.mk, nga MPB-ja.

As Veliu nuk ka njohuri nëse ka informata për atë se kush do të mundte t’i dërgojë opinionit një ultimatum me vulën e UÇK-së.

“Nuk e kam parë komunikatën dhe nuk do të mund të komentoj se kush është dërguesi dhe sa është serioze. Nuk e di kush në emrin e ish-UÇK-së ia lejon vetes të drejtohet përmes një komunikate”, deklaroi Veliu.

Me komunikatën e UÇK-së nuk ishte në dijeni as Hoda.

“Është fakt se ka revoltë të madh nga aktgjykimi për ‘Lagjen e Trimave’. Por, nuk kam informata se kush do të mundte të jepte ultimatum përmes një komunikate. Çdokush i cili ka njohuri bazike për kompjuterë, do të mundte ta merrte emblemën e UÇK-së nga interneti”, thotë Hoda.

Tani për tani nuk dihet nëse prapa komunikatës qëndron ndonjë organizatë apo ndonjë individ i revoltuar./Medial