Bashkëpunimi mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa do të vazhdojë edhe më tej, thonë dy përfaqësuesit e lartë të këtyre dy subjekteve politike. Edhe pse njëra parti në Qeveri e tjetra në opozitë, nga Lëvizja Besa madje thonë se pritet intensifikim i aktiviteteve të përbashkëta.

Ne kemi pasur një marrëveshje për tu mbështetur në rrethin e dytë aty ku ishte kandidati i Aleancës, respektivisht i joni dhe kjo ka përfunduar për faktin se Aleanca është pjesë e Qeverise dhe ne jemi pjesë e opozitës dhe për këtë nuk mund të presim ndonjë bashkërendim të madh të aktiviteteve por nuk përjashtohet mundësia që këto aktivitet të intensifikohen varësisht nga rrethanat – deklaroi Zeqirja Ibrahimi, Lëvizja Besa.

“Marrëveshja për koalicion në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, ka formuar një bazament të fortë për bashkëveprim” thotë Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët. Sipas tij, bashkëpunim me Lëvizjen Besa do të ketë edhe në të ardhmen, në situatat tjera të rëndësishme, siç ishte ajo e zgjedhjeve lokale.

Momentalisht nuk ka asnjë çështje për të cilën ne duhet ta diskutojmë për mundësitë e bashkëpunimeve eventuale dhe partiake. Konsideroj se është vendosur një bazament i shëndoshë për bashkëpunim edhe në të ardhmen për çështje të caktuara – tha Elmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët.

Koalicioni mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa ishte paralajmëruar gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit lokale. Marrëveshja për bashkëpunim u realizua pas rrethit të parë të zgjedhjeve, pasi që në të gjitha komunat, ky koalicion kishte kundër-kandidat nga bashkëpunimi tjetër mes BDI-së dhe LSDM-së. Së bashku, koalicioni “Aleanca me Besë” arriti të fitojë 4 komuna.