Kryetari i kontestuar i “Besës” Bilall Kasami në një intervistë për “Prizma” ka dhënë përgjigje në më shumë pyetje në lidhje me përplasjet e mëdha brenda këtij subjekti. Kasami ka akuzuar persona të caktuar nga OJQ të cilët kanë finansuar partinë dhe të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e tij kur ky ka refuzuar të veprojë sipas diktatit të tyre.

“Nuk bëhet fjalë për biznesmenë klasik. Këto janë njerëz nga sektori civil që kanë burime finansiare të cilat i shfrytëzojnë për finansimin e partive. Komunikimi me këta njerëz nuk ishte problem derisa konsultimet me ata nuk u bënë diktat. Pasi e panë se Besa nuk mund të kontrollohet, kërkuan dorëheqjen time”, ka deklaruar Kasami.

Ai shton më tej se nga këta njerëz ka pasur presion të madh të mos hyjë Besa në qeveri për shkak lidhjeve të tyre me VMRO-DPMNE-në. Për këtë flet edhe angazhimi i Vladimir Bozhinovskit i cili njihet për afërsinë me VMRO-në.

“Formalisht nuk e di si ka qenë i angazhuar, por në opinion u tha se janë konsultuar. Unë si kryetar nuk kam pasur asnjë lidhje me Bozhinovskin. Kjo do të thotë se kanë funksionuar komunikimet paralele”, potencon Kasami.

Kasami ka theksuar se ka qenë i befasuar edhe për aktin e këndimit të himnit këmbëtar shqiptar në Kuvend nga Zeqirja Ibrahimi më 27 prill, pas çka filloi incidenti i rëndë në Kuvend. Në vazhdim ka qenë edhe presioni i madh i këtij OJQ-lobi për koalicionim me PDSH-në. “Pasi organet partiake nuk e pranuan këtë, filloi linçi ndaj meje”, shprehet Kasami.

Pas përçarjes në parti Bilall Kasami u takua me kryeministrin Zoran Zaev. Nga ky takim u la përshtypje se Besa, së paku pjesa lojale ndaj Kasamit, jo vetëm që do të përkrahë ligjet e shumicës së Zaevit por ka gjasa që edhe të bëhet pjesë e Qeverisë.

“Sipas fjalëve të Zaevit, rekonstruimi i parë do të ndodhë në pranverë dhe ai na ofroi që të mendojmë që atëherë edhe ne të kyçemi në Qeveri” – ka deklaruar Kasami.

Ai gjithashtu beson se spekulimet që kinse Lëvizja BESA është një opsion radikal islamik me linqe nga partia e Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, do të shkojnë në histori bashkë me kundërshtarët e tij nga sektori civil që kanë një “begraund” fetar.

Kasami mes tjerash thotë se krahu tjetër është frikuar të përballet me të në Kongres sepse ata nuk e kanë përkrahjen e duhur të antarëve të Lëvizjes BESA.