Nga Risela Gjylbegu
“Kam vendosur të jem i lumtur, sepse i bën mirë shëndetit”, – thoshte dikur Volteri. Ndërsa studime të ndryshme botërore në këtë drejtim e faktojnë edhe më shumë idenë se të mësosh të thuash “faleminderit”, të bën gjithashtu të ndihesh mirë me veten dhe të tjerët. Në shoqërinë e sotme, shqiptare, po të bëhen testime mirëfilli, mundet që teoria e mësipërme të rrëzohet. Të qenit pragmatiste, por dhe një vëzhguese e thellë e realitetit që ‘shkel’ çdo ditë, e bëjnë të mëdyshet në rolin e vërtetë të shoqërisë sonë. Për psikologen e njëkohësisht këngëtaren e njohur Rosela Gjylbegu, ky aspekt social tek ne bart rrezikun e një vlere të mohuar. Sipas saj, “mirënjohja është një vlerë fisnike që sot gjithnjë e më tepër e hasim rrallë”. E kjo është e natyrshme për disa arsye, sipas Roselës, të cilat kanë të bëjnë me normën bazike të edukimit, që rrjedh së pari nga familja, për të vijuar me sigurinë dhe pavarësinë e jetës që ta ofron shteti dhe shoqëria. Pengesat ajo përpiqet t’i shmangë për të mirën e vetes, falë meritës së prindërve dhe shkollimit të duhur. “Për çdo gjë që kam arritur deri më sot, si nga ana profesionale, edhe nga ana personale, u jam mirënjohëse vetëm prindërve të mi. Pa mbështetjen dhe këshillat e tyre nuk do isha kjo që jam sot. Prindërit e mi janë pika ime e referimit. Për çdo vlerë që ata mbartin, të cilën pa diskutim e kanë transmetuar tek unë e vëllezërit e mi. Vlerat, edukatën, mirësjelljen, mirënjohjen, punën, thjeshtësinë, të qenët me ‘këmbë në tokë’, çiltërsinë, rëndësinë e shkollimit për t’u realizuar në jetë, pavarësinë dhe dashurinë pa fund, mbështetjen, por edhe kritikë e shumë të përkushtuar ndaj nesh, e shumë e shumë gjëra të tjera, për të cilat me modesti e them që më bëjnë të krenohem pa fund”. E në rëndësinë e vlerës që rrënjos tek individi të qenët mirënjohës, Rosela përmend atë që i ndjeri ati i saj ia mësoi që herët, në fëmijëri. “Im atë më ka mësuar të jem gjithmonë mirënjohëse, edhe për gjërat më të vogla, për mundësitë që na jep jeta, për çdo eksperiencë që kalojmë, pasi ajo na mëson dhe na rrit. Respekti që ka dikush ndaj meje, besimi që më jep duke më dhënë një mundësi për një përvojë pune. Mbështetja, këshillat, kritikat dhe dashuria e dashamirësia ndaj meje. Sigurisht, si për çdo gjë, ka një kufi, dhe nëse ai tejkalohet, mund të lëndohem apo zhgënjehem, por prapë jam mirënjohëse, sepse kjo më jep mundësinë të hap sytë e të jem më e kujdesshme”. Sikundër jeta dhe dijet ia kanë njehsuar, për psikologët: nëse dëshiron që të kesh gjumë të qetë e çlodhës, numëro të mirat që ke në jetën tënde dhe jo yjet. Edhe për këngëtaren e afirmuar, kjo shprehi kështu merr jetë. Nganjëherë, thotë Rosela, “për shkak të ngarkesës apo ritmit ditor, harrojmë ca të mira e ankohemi ndoshta për gjëra pa vlerë, e shumë shpesh reflektoj dhe i falem Zotit, jetës dhe gjithë njerëzve të mi të dashur për gjithçka unë kam, dhe për gjithçka ato më falin me dashurinë e tyre”.