Nga Andi Bushati

Më në fund Albin Kurti e theu akullin. I konsideruar në Prishtinë si një partner i afërt i kryeministrit të Shqipërisë, i veshur me aureolën e atij që Rama e ka quajtur si një vlerë të shquar në skenën politike shqiptare, i lëkundur nga dobsia që të majtët kanë qoftë edhe për sivllezërit e tyre fallco, lideri i Vetëvendosjes vendosi të flasë publikisht kundër.

Natyrisht ai e kapërceu këtë prag pasi nuk e duroi dot farsën e turpshme që u luajt në Tiranë. Ai nuk e honespsi thirrjen që kryeministri shqiptar i bëri homologut të tij Haradinaj, për të harruar betejat me bilbila dhe gaz lotësellës për të penguar demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ai nuk e kapërdiu moralin sipas të cilit, tani që është në pushtet, Ramushi duhet t’i dhurojë fqinjëve ato 2800 ha tokë të Kosovës, për interesa më të mëdha politike.

Apeli i Albin Kurtit: “Ne nuk kemi tokë për të falur” (Lexo poshte Lapsi.al), ishte si një rufe në qiell të pastër, për timonierin e Shqipërisë, që ka filluar të vetëngjyroset me bojra patriotike, duke u hequr si pasardhësi i Gjergj Kastriotit dhe Ismail Qemalit.

Por, kjo thirrje e liderit të Vetëvendosjes nuk përbën lajm për faktin se krisi imazhin atdhetar të Edi Ramës. Tashmë i madh e i vogël e di se kjo është një lojë e dalë boje e përdorur për qëllime thjeshtë elektorale.

E veçanta e apelit të Albin Kurtit qëndron tjetër kund. Qëndron në prishjen publike të një raporti kurtuazie që ai ka pasur me shefin e Rilindjes.

Për një kohë të gjatë, Rama dhe Kurti kanë lënë imazhin e dy politikanëve që ishin më shumë se partnerë. Fakti se Edi shikonte tek Albini realizimin e atyre që s’kishte pasur guxim t’i bënte vetë, dëshmia se ai kishte rrefuzuar ta gjykonte Vetvendosjen me sytë miopë të burokratëve perendimorë, deklaratat publike në favor të saj dhe mospranimi për ta trajtuar si delen e zezë të politikës kosovare e pati forcuar këtë raport.

Nga ana tjetër edhe Vetëvendosjes i ka volitur kjo qasje. Për një parti që i thërret të vetëve të bëjnë politikë duke pasur si busull bashkimin, përkrahja nga zyrat e pushtetit në Tiranë kishte një domethënie të madhe.

Por me apelin: “Nuk kemi tokë për të falur”, Albin Kurti e prishi këtë idil. Ai vizatoi një Ramë pa principe (Sa qesharak kundër reagimi: “unë nuk fal det, jo më tokë”, Lexo poshte lapsi.al)) që është i gatshëm që për hir të pushtetit të shkeli mbi parimet. Madje që këtë nuk druhet ta tregojë edhe botërisht duke i’a servirur edhe si model Ramush Haredinajt.

Ai vuri në pah një nga ato sjellje që janë tipike për mendëisnë e politikanëve që vetë Albini lufton dhe stigmatizon: “çfarë rëndësie ka se ç’ke premtuar kur je ne opozitë, në qeveri duhet të bësh gjërat që të mbajnë në pushtet”.

Në këtë lloj mentaliteti shihen nga pak të gjitha, përkulja e padinjitetshme ndaj të huajve, mospërfillja ndaj atyre që të kanë votuar, cinizmi për të mos u kujtuar për qëndrimet që ke mbajtur, një lloj sharlatanizmi politik që është përhapur si epidemi që nga Tirana deri në Prishtinë.

Me deklaratën e tij të fortë kundër Ramës, Albin Kurti vendosi t’i japë fund kësaj hipokrizie.

Në pamje të parë duket sikur ai humbi, sikur u prish dhe me të vetmin partner të fortë që ka pasur ndonjëherë në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë.

Tani pas kësaj, kundërshtarët e tij mund të fërkojnë duart. Ata që e vizatojnë si liderin eksteremist që nuk e gjen gjuhën me askënd, mund të gëzohen. Ata që e shihnin me shqetësim faktin se ai ishte i pranueshëm për Tiranën zyrtare, mund të ndihen të lehtësuar.

Por, të gjithë që mund të mendojnë kështu e kanë gabim. Fakti që Albini, më në fund vendosi të tregojë, se ai është i ndryshëm nga Rama, e bën vetëm më të fortë. Sepse përpos ndonjë deklarate sipërfaqsore, ata në thelb nuk i bashkon asngjë. Edhe si karaktere edhe si bindje të majta edhe si patriotë, ata janë krejt të ndryshëm.

Në thelb, profili i politikanit që përfaqëson Rama, është ai që Albin Kurti lufton prej më shumë se një dekade në Kosovë. Prandaj vënia në dukje e kësaj diference nuk mund të zgjaste më shumë. Albin e hodhi këtë hap. I vënë para dilemës mes principeve të tij dhe përfitimit që i vjen nga etiketa e të “preferuarit të Tiranës”, ai zgjodhi të parën. Dhe kjo më shumë sesa e dëmton i bën nder atij.