Superylli i futbollit botëror, Lionel Messi meriton të fitojë Kupën e Botës 2018 që do të zhvillohet në Rusi. Kjo është bindja e ish-sulmuesit të njohur të Argjentinës, Hernan Crespo, i cili ka luajtur dikur në një skuadër me “pleshtin”.
“Ne të gjithë dëshirojmë që Messi të fitojë Kupën e Botës, ai e meriton një gjë të tillë, por duhet të jemi realist: niveli i ekipit të Argjentinës është më i dobët sesa niveli i Gjermanisë apo Spanjës”, – deklaroi Crespo në një prononcim të fundit.

“Të gjithë e dimë se falë Messit ne u kualifikuam në Kupën e Botës, pa ‘pleshtin’ në ekip, kombëtarja jonë nuk mund të arrijë rezultate të mira”, – shtoi ai, duke theksuar edhe një herë rëndësinë që ka ylli i Barcelonës për kombëtaren amerikanojugore.
Ceremonia e hapjes së Parkut të Futbollit në Shën Petersburg të shtunën, grumbulloi rreth njëqind banorë dhe turistë të shoqëruar nga fëmijët, si dhe ish-lojtarin e Rusisë, Dmitry Sychev, artistin e famshëm rus Vasily Gerello dhe Hernan Crespo, që ka luajtur në botëroret e 1998, 2002 dhe 2006 me fanellën e bardhekaltërve.

Rusia i ka përcaktuar 11 qytetet pritëse, ku do të luhen ndeshje e Kupës së Botës dhe ato janë Moska, Shën Petersburg, Sochi, Kazan, Saransk, Kaliningrad, Volgograd, Rostov-on-Don, Nizhny Novgorod, Jekaterinburg dhe Samara. Ndeshjet e Kupës së Botës “Rusi 2018” do të zhvillohen nga data 14 qershor deri më 15 korrik në 12 stadiume të vendosura në 11 qytetet e lartpërmendura në të gjithë Rusinë./EDS/