Djegia e flamurit grek gjatë protestave të të martës në Shkup nxiti reagime të shumta në fqiun jugor dhe ishte temë kryesore në mediat e atjeshme. Nga Byroja për Siguri Publike njoftojnë se kanë filluar procedurat ligjore për këtë vepër penale.
Në lidhje me flamurin, është identifikuar personi. Janë siguruar të gjitha të dhënat për personin në fjalë që ka kryer këtë vepër. Për momentin jemi në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike, me qëllim të marrjes se masave dhe veprimeve të duhura. Është evidentuar rasti dhe është bërë dorëzimi i padisë adekuate – tha Llaze Velkovski, Drejtor i Byrosë për Siguri Publike.
Mitropoliti Agatangall që i priu protestës të së martës theksoi se Kisha asnjëherë nuk do të distancohet nga populli në luftën për të mbrojtur identitetin dhe dinjitetin fetar dhe u bëri thirrje politikanëve që menjëherë t’i ndërpresin negociatat për ndërrimin e emrit të vendit.
Emri i shtetit dhe emri i Kishës maqedonase janë shpirti i popullit maqedonas. Është koha që përfaqësuesit tanë ta dëgjojnë këtë zë të popullit, vajin e popullit, dhimbjen e popullit, keqardhjen e popullit dhe të na udhëheqin në një rrugë të drejtë, të vërtetë – deklaroi Agatangall, Mitropolit.
Profesori universitar, Nano Ruzhin megjithatë vlerëson se as protestat e as artikujt e ndryshme nëpër media nuk mund t’i bllokojnë negociatat. Ai beson se pikërisht këto protesta mund të kenë efekt pozitiv në arritjen e konsensusit nacional në vend.
E di se ka marrëveshje të heshtur midis dy liderëve që asgjë të mos dalë në opinion. Kohë pas kohe diçka do të rrjedh në opinion por jo çështje aq të mëdha siç është “merre, ose tërhiqu”, por çështje të një rëndësie më të vogël. Së pari, kjo është punë shumë normale dhe është mirë të ketë. T’i tregohet palës greke se edhe ne kemi njerëz që nuk do të jenë të kënaqur, që do të thotë se ai që do të nënshkruajë rrezikon shumë. E dyta, që është pozitive, VMRO DPMNE-ja rrethohet nga kjo revoltë, që gjithashtu është shenjë e mirë se Maqedonia do të ketë një konsensus që do të ndihmojë të gjendet një formulë më e pranueshme për shtetin tonë – tha Nano Ruzhin, profesor universitar.
Pavarësisht se kryeministrat e dy vendeve, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras kërkojnë që opozitat t’i mbështesin në zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar, një gjë e tillë akoma nuk është arritur. Megjithatë besohet se partitë në pushtet mund të sigurojnë shumicën e nevojshme për miratimin e një marrëveshjeje eventuale që mund të arrihet për emrin.