Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela i quan lojëra politike zvarritjen e shkarkimit të zv/ministrave në dorëheqje, që i takonin partisë së Selës në kohën kur ishte pjesë e Qeverisë. Ai kërkoi nga koalicioni qeverisës që të mos shfrytëzohen emrat e funksionarëve të Aleancës për besueshmëri, pasi që të njëjtët nuk janë më pjesë e Qeverisë dhe as nuk paraqiten më në vendet e tyre të punës.

Ne nuk jemi pjesë e Qeverisë dhe le të fillojë kryeministri që t’i shkarkojë funksionarët tanë. Ashtu si ashtu ata nuk shkojnë nëpër vendet e punës. Dhe mjaft më me këto loja politike. Ne nuk kemi nevojë për loja. Transparent ka qenë momenti kur jemi bërë pjesë e Qeverisë, transparent kemi qenë me opinionin kur kemi dal prej Qeverie ndërsa lojërat po ua lejmë të tjerëve deklaroi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Partia që udhëheq koalicionin thotë se bllokimi i parlamentit nga amendamentet e VMRO-së do e vonojë edhe më shumë punën e shkarkimit të funksionarëve të Aleancës, për ata të cilat duhet të konstatohen edhe nga Kuvendi. Nga LSDM-ja thonë se emrat e rinj në postet e zv/ministrave që i takonin partisë së Selës do të zgjidhen brenda dy javësh, por pas konsultimeve me partnerët tjerë të koalicionit. Socialdemokratët nuk bëjnë të qartë nëse do të ketë apo jo zgjerim të koalicionit qeverisës.

Për shkak të bllokimit të parlamentit, shkarkimi i zv/ministrave të Aleancës për Shqiptarët do marrë edhe ca kohë. Besojmë se brenda 2 javësh do të ketë emra të rinj në pozitat e tyre. Për kuadrot që do vijnë në këto poste, do të vendosim pasi që të bisedojmë me partnerët e koalicionit për të parë se kujt do i takojnë vendet vakante. Nuk dimë ende se a do ketë zgjerim të koalicionit qeverisës – bëjnë me dije nga LSDM-ja.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë është i gatshëm që të pushojë mandatin e tri zv/ministrave të Aleancës për Shqiptarët por presin vendimet nga kryeministri Zaev.

Në parlament nuk janë dorëzuar dorëheqjet e zv/ministrave të Aleancës për Shqiptarët. Pasi që kryeministri t’i adresoj në Kuvend, kryetari i Parlamentit do ta konstatojë pushimin e mandatit në seancën e parë pas pranimit të materialit nga Qeveria – thonë nga Presidenca.

Aleanca dhe partnerët e saj të koalicionit qeverisës, ashpërsuan tonet kur Selës iu morr Ministria e Shëndetësisë. Venko Filipçe ishte emri që Zaev e zgjodhi për ta zëvendësuar ish ministrin e shëndetësisë, Arben Taravarin i cili la ministrinë për tu bërë i pari i Komunës së Gostivarit. Në këmbim të Shëndetësisë, Aleancës iu ofrua posti i zv/kryeministrit për Reforma, post ky i papranueshëm për Selën. Në shenj revolte, Aleanca për Shqiptarët la qeverinë për të kaluar në opozitë.