Ziadin Sela kërkon dëmshpërblim prej gjysmë milioni euro nga të akuzuarit për tentim vrasje ndaj tij më 27 prill të vitit kaluar në Kuvend. Ndonëse për sot ishte paraparë që në mesin e dëshmitarëve të jetë edhe i dëmtuari Sela, dëshmitë e ngadalshme pamundësuan prononcimin e tij para trupit gjykues

I njëjti do të vijë të dëshmojë me 19 ose 20 shkurt kur do të caktohet seanca e radhës. Sa i përket dëmshpërblimit, ai ka të bëj me dëmin material dhe jo material arsyet e të cilit i deklaruam në seancë gjyqësore – deklaroi avokat i Zijadin Selës, Abedin Abduli.

Para trupit gjykues dhe pyetjeve të Prokurorit Publik u përgjigj i punësuari në kompaninë që kontrollon kamerat e sigurisë në Kuvend. Ai Tregoi se çfarë nga ai kanë kërkuar inspektorët e MPB-së, ndërsa në pyetjet e avokatëve mbrojtës dhe të Prokurorit Publik dëshmitar Ordanço Sokoloski u përgjigj mbi autenticitetin e incizimeve. Përvec Sokoloskit, dëshmoi edhe njëri nga protestuesit, Igor Ivanovski i cili sipas organit të akuzës në momentet kritike të deputetit Sela ka qenë afër turmës. Pavarësisht kësaj, Ivanovski nuk ka parë aktin e dhunës ndaj Selës.

Në sallën e konferencave për shtyp ishin mbledhur deputetët e shumicës. Për një moment nga salla del deputeti Sela. E pashë se kishte marr një goditje në kokë me shtizë të flamurit. Lëkundej majtas-djathtas dhe për një moment ra në tokë. Për disa sekonda jam larguar nga aty, por kur jam kthyer kam parë një turmë duke u larguar nga trupi i Selës i cili ishte i shtrirë më fytyrë në dysheme dhe pa ndjenja. Më duket se derisa turma largohej, Sela ka marrë 2-3 goditje por nuk e kam parë mirë. Nuk i kam parë personat që e kanë sulmuar dhe as personat që e kanë tërhequr zvarrë pasi në atë moment kam qenë i kthyer me kurriz nga turma. Di që nga distanca prej 2 metra e kam fotografuar Selën në atë gjendje – tha dëshmitari Igor Ivanovski.

Në seancën e sotme nuk arritën të dëshmojnë as ekspertët mjekoligjorë të cilët duhet të dëshmojnë mbi lëndimet shëndetësore të Selës si pasojë e tentimit për vrasje. Dëshmitarë të propozuar nga organi akuzës janë edhe Kryeparlamentari Talat Xhaferi, deputet, ministra aktual dhe gazetarë. Për tentim vrasje ndaj deputetit Ziadin Sela dyshohen 10 persona. Në mesin e tyre janë babë e birë Caje dhe Kire Gjorgjievski, Andrej Micov, Stojan Pavlevski, Nikolla Vojminovski, Kosta Dellov, Alesandar Janevski, Sasho Senkov, Oliver Oshavkovski dhe Nikollçe Dimitrievski. Seanca e radhës është caktuar për më 19 shkurt. Për veprën “vrasje në tentativë”, Kodi Penal parashikon dënim me burg nga 5 vjet e më tepër.