Dhitë e Gertës, më të famshmet në Shqipëri për momentin, janë të zgjuara. Janë me arsim të lartë, madje me arsim nga ai jashtë vendit. Janë arsimuar në një nga universitetet me te mira ne Itali, për shkenca politike. Sa gjë e madhe! Por fati i keq i tyre, që jetojnë në një fshat te Mirditës. Imagjinoni çfarë do kishin bërë sikur të jetonin në Tiranë!!

Unë nuk arrij ta imagjinoj. Mos qeshni, sepse është e vertetë. Padronia e tyre, çdo gjë ka marre atje, ua ka sjelle edhe atyre. I ka mësuar të kuvendojnë në heshtje, madje i beri edhe faktor në Parlament. Aty, ku zëri i shumë deleve nuk është dëgjuar kurrë, madje as nuk njihen në janë të zeza, të bardha, apo të egra. Ndërsa dhite e Gertës, folën duke heshtur. Folen nga Mirdita, nga ai fshati pa rruge e pa ujë, si shumë fshatra të Shqipërisë, që ato delet atje në fakt i njohin shumë mirë.

Po moj Gerta po, i njohin shume mirë, sepse në çdo 4 vjet kanë shkuar të premtojnë gjëra që nuk i bënë kurrë. Kanë shkuar edhe kanë blerë edhe vota madje. Kanë ngrënë edhe atë ushqimin bio që ti e përmend me aq krenari. Kanë mbushur edhe trastat kur janë kthyer për në kryeqytet, falas.

Por, nuk është faji i tyre që ata vazhdojnë të mbeten dele. Sepse delet më të mëdhaja janë ata që serish u hapin derën dhe u shtrojnë ato drekat bio në çdo palë zgjedhje. E dine se çfarë delesh janë dhe sërish i gostisin me barin më të mire.

Të gabosh një herë është mësim, por kur gabon disa here moj Gerta, është injorance. Dhe ata janë dele politike moj Gertë. Ti duhet ta dish shumë mirë. Politika është lavirja më e madhe e të gjitha kohërave. Ka brenda mashtrimin, aktrimin, bukurinë, buzëqeshjen, epshin, sensualitetin, çdo gjë që ka një lavire e bukur.

Dhe ti vazhdon të qash në atë foltore?! Mos moj Gertë, mos! Mua më kanë qare vargjet herë pas here, por kurrë askush nuk e vuri ujin në zjarr, madje me vunë me shpatulla pas muri duke u munduar të më mbyllin gojën. Shume shpesh. Do thuash, po kush jam unë?! Edhe unë jam një fshatare, që qaja për rrugët e vendit tim, për rrugën e Arbrit, atë legjendën që nuk ka këmbësor ne Shqipëri qe nuk e njeh, por që nuk lulëzoi kurrë. Lulëzuan vetëm lule kujtimi, të njerëzve që humben jetën rreth saj.

Ndërsa fshati im vazhdon të mbetet me një gjysmë rruge. Dhe ne do ta dish, kam qene unë që i kam pritur edhe në shtëpi, i kam dëgjuar kur premtonin, u bëra një dele plot ëndrra. Por jo më! Nuk kam lot tepër të derdh për dhitë e fshatit, ndërkohë që padronet e tyre janë kthyer në dele….

Do mendosh tani, po kjo çfarë po përrallis?! Dele moj Gertë dele, shqiptaret janë dele, të cilat vetëm blegerijnë gjithë ditën, por nuk nxjerrin aq qumësht e as lesh. As për kurban nuk mund t’i therësh. Ama për t’u qurravit janë të paret. Lëri të gëzojnë atë që meritojnë!