Riatdhesohen 160 shtetas shqiptarë nga vendet e BE. Ashtu siç ishte deklaruar edhe më parë nga vendet e Bashkimit Europian se do të rikthehen të gjithë azilkërkuesit shqiptarë, kjo gjë po ndodh me të vërtetë.

Dje dhe sot janë rikthyer në Shqipëri dhe 160 azilkërkues të tjerë. Ka qenë vetë Policia e Shtetit e cila përmes një njoftimi ka bërë të ditur se gjatë pasdites së djeshme janë kthyer me tre avionë të posaçëm 160 azilkërkues të cilëve, sipas policisë, u ishte mohuar kërkesa për azil.

Sipas policisë, azilkërkuesit e kthyer vinin nga vende si Gjermania, Franca dhe Anglia.

“160 shtetas te rikthyer sot nga vendet e BE-së, tentuan azil. Gjatë pasdites së sotme, në aeroportin e Rinasit janë kthyer me tre avionë të posaçme, 160 shtetas, të cilët kishin abuzuar me kërkesa për azil nga këta: 69 shtetas shqiptarë të deportuar nga Gjermania, 31 shtetas janë kthyer nga Franca, si dhe 60 shtetas nga Anglia. Vetëm gjatë tre muajve të fundit janë riatdhesuar 2559 shtetas shqiptarë të kthyer nga shtete si Franca, Belgjika, Gjermania, Anglia, Italia dhe Greqia, ku 1063 shtetas kanë kërkuar azil dhe 1496 shtetas kanë shkelur afatet e qëndrimit në hapësirën Schengen”, njoftoi policia.

Sakaq Policia e Shtetit ka bërë të ditur se do të vazhdojë të rrisë dhe të kontrollojë masat e kalimit të shtetasve shqiptarë. “Policia e Shtetit do vazhdojë në përputhje të plotë me detyrat që i ngarkon ligji për Policinë e Shtetit, të rrisë dhe të kontrollojë masat e kalimit të shtetasve shqiptarë në të gjitha pikat e kufirit në Republikën e Shqipërisë. Asnjë shans për të fituar azil në vendet e BE-së, mos shpërdoroni para dhe kohë! Respektoni rregullat e lëvizjes dhe afatet e qëndrimit në hapësirën Schengen”, u shpreh Policia e Shtetit.

Por pavarësisht kësaj deklarate ajo që vlen të theksohet është se Policia e Shtetit gjatë këtyre tre muajve të fundit e ka rritur kontrollin dhe parandalimin e azilkërkusëve. Kjo për shkak se sipas raportit të Eurostat gjatë periudhës Korrik-Shtator 2017 ishin shtetasit sirianë ata që mbanin numrin më të madh të aplikimeve për azilkërkim. Ndërkohë që shqiptarët gjatë kësaj periudhe renditeshin të shtatët sipas Eurostat me vetëm 5,900 aplikime. Pra duket se me masat shtrënguese të mara nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit fluksi i shtetasve shqiptarë që kërkojnë azil ka rënë ndjeshëm krahasuar me një vit më parë.