Avokatja Iseni: A do të përfshijë falja edhe të dënuarit e “Lagjes së trimave”

Avokatja Artene Iseni ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Zoran Zaev se do të amnistohen sulmuesit e “27 Prillit” teksa shtriu dorën e pajtimit.

Avokatja Iseni ka shkruar:

Kuvendi i Maqedonisë ka hapur debat për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës. Në fjalën e tij kryeministri Zaev, një ndër viktimat dhe cak kryesor i sulmit të 27 prillit 2017, në Parlamentin e Maqedonisë bëri thirje për falje dhe shtriu dorën e pajtimit. Ai kaloi mbi plagët e veta dhe të shokëve të tij, që ende kullojnë gjak për hirë të ardhmërisë europiane të vendit. Është një akt burrërie dhe civilizuese të shtrishë dorën e pajtimit në vend të hakmarrjes.

Fillimi i fundit të një keqqeverisje, të një diktature janë ngjarjet e 9 majit 2015 në Lagjen e trimave në Kumanovë.

Falja doemos do të përfshinë edhe këto ngjarje tragjike të 9 majit për të dënuarit e rastit Kumanova.
Zoti Kryeministër i Maqedonisë, shihni qartë lidhshmërinë kauzale të këtyre ngjarjeve. Me vullnet politik dhe duke pasur parasysh sigurinë dhe prosperitetin e shoqërisë dhe Shtetit falja dhe dora e pajtimit duhet shtrirë jo vetëm ndaj oponentëve partiak, por edhe ndaj pjesëmarrësve të ngjarjes së Kumanovës.

Nga falja e ngjarjeve të 27 prillit Maqedonia tregon pjekuri se më në fund Shtetin e qeverisin demokratë me orientim europian e civilizues. Nga falja e 9 majit Maqedonia tregon zotësi për të jetuar në fqinjësi të mirë dhe siguri ndërshtetërore me gjitha shtetet kufitare, posaçërisht me Kosovën.