Një 37-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës për grabitje në një kompani celularësh. Sipas policisë, Eragon Aliay vodhi me dhunë 8 celularë duke shtyrë shitësen dhe më pas u largua me vrap. Uniformat blu u njoftuan nga vet shitësja, e cila denoncoi rastin.

Në afërsi të vedit të ngjarjes, forcat “Shqiponja” vunë re se i dyshuari po vraponte dhe u vunë menjëherë në ndjekje të tij. 37-vjeçari Aliay nga Vlora, me pasaportë izraelite, kur ka parë se po e ndiqte punonjësi i Policisë ka hedhur në rrugë aparatet celularë dhe ka vijuar lëvizjen me vrap por që është kapur nga punonjësi i policisë ku në ndihmë të tij mbërritën edhe dy patrulla të Policisë, të cilët bënë shoqërimin e tij për në Komisariatin e Policisë Nr 5 Tiranë.

Grupi hetimor sekuestroi 8 celularët e vjedhur me dhunë. Ndërkohë, policia sqaron se Eragon Aliay kishte hyrë në Shqipëri dy javë më parë dhe sipas informacioneve nuk kishte destinacion final, por endej rrugëve.