Policia në mëngjes ka kapur katër persona të dyshuar për vrasjen e 24 vjeçarit Burim Idriz në Xhon Kenedi të Shkupit, raporton SHENJA.

Siç njoftoi drejtori i Byrosë për siguri publike Llazo Vellkovski në një brifing për gazetarët, katër personat janë kapur në një aksion policie nën dyshimet se kanë vepruar si grup për vrasjen e të riut.

Ende nuk dihet nëse në mesin e këtyre personave gjendet ai që ka shtënë më gjashtë plumba kallashnikovi ndaj Burimit pasi policia po vazhdon hetimin.

Llazo Vellkovski, drejtor i byrosë për siguri publike

“Është arrestuar një grup personash, 4. Por ende po bëjmë hetime për lidhjen e tyre me ngjarjen. Nuk mund të them nëse e kemi kapur vrasësin por kjo duhet të dëshmohet pas hetimeve”

Policia ende nuk i ka të qarta motivet e vrasjes pasi në këtë detyrë po punon Prokuroria Publike.

Burim Idrizi 24 vjeçar u vra një javë më parë me një breshëri plumbash nga kallashnikovi, në mesin e turmës së njerëzve të shumtë përreth, shumica nxënës të shkollës së mesme Cvetan Dimov që po dilnin nga shkolla. U vra në stacionin e autobusit, dhe ende pa arritur në spital kishte ndërruar jetë.

Shkaku i kësaj ngjarje por edhe shumë rasteve të tjera me pasoja fatale, do ketë frekuentim më të madh të policisë rrugëve të Çairit dhe gjithandej Maqedonisë pasi sipas ministrit të punëve të brendshme ku ka më shumë frekuentim të policisë, aty duket të ketë më pak probleme. Kjo do jetë shkak që policët e gjithë stacioneve policore të dalin vazhdimisht në terren dhe të mos presin vetëm thirrjet e qytetarëve pasi të ketë ndodhur ndonjë incident.