Mbrojtja e rastit Almir Aliu pret që Prokuroria Themelore e Kumanovës të vendosë “për” tërheqjen e Prokurores Suzana Kusigerska nga përfaqësimi i akuzës. Në rast se Organi akuzës nuk tërheq Kusigerskan, pala e dëmtuar do të veprojë në bazë të Ligjit për procedurë penale.

“Pres që ta tërheqin Prokurorin Publik, por nëse u.d. i Prokurorit Publik të Kumanovës nuk do ta bëjë këtë, ne do të veprojmë sipas Ligjit për procedurë penale dhe do të kërkojmë që lënda të tërhiqet nga kjo Prokurori” – deklaroi avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiç.

Indikacionet e mundshme se vëllai i të akuzuarit Boban Iliç, Bojan Iliç mund të jetë në procedurë para-hetimore, Alispahiç i quan propaganda të prokurores Kusigerska për arsyetim para opinionit.

“Shpresoj se Prokuroria Publike e Kumanovës do të nisë procedurë hetimore sa më shpejtë ndaj Bojan Iliç. Në të kundërtën, në si mbrojtje e palës së dëmtuar kemi të drejtë të iniciojmë padi ndaj të njëjtit” – theksoi ai.

Nga SPB Kumanovë, burime jo zyrtare për Alsat M konfirmojnë informacionin se policisë së Kumanovës, në raportin e parë i kanë rezultuar dyshimet se Boban Iliç vrasjen e ka kryer me paramendim ndërsa në dhunë janë të përfshirë edhe katër persona, Sedat Aliu, Abdulla Aliu, Sami Demiri dhe Bojan Iliç.

Dhuna e tij dëshmohet edhe nga kamerat e sigurisë. Pas aktit të Boban Iliç, vëllai i tij Bojan zbret nga vetura dhe me shufër godet Sedat Aliu derisa ky i fundit shikon gjendjen e tashmë të ndjerit Almir Aliu.

Pse Bojan Iliç nuk ndodhet në aktakuzën për dhunë, mbetet akoma e paqartë. Në seancën e 6 shkurtit, pala e dëmtuar kërkoi largimin e Prokurores së lëndës, Suzana Kusigerska, pasi sipas tyre, ajo ka luajtur rolin e avokatit të Boban Iliç.

Arsye shtesë është edhe kërkesa për rikualifikimin e veprës nga “vrasje” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”, kërkesë kjo për të cilën u diskutua edhe në Prokurorinë Republikane. Tani seanca do të nisë nga fillimi. Nuk përjashtohet mundësia që pala e dëmtuar përsëri të propozojë dëshmitarët e njëjtë.

Vrasja e Almir Aliut ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në Kumanovë, pas një zënkë paraprake mes familjarëve të Almirit dhe të akuzuarit Boban Iliç i cili shtypi me makinë 4 vjeçarin nga Kumanova dhe prind e tij.

Seanca e radhës është caktuar për 15 shkurt kur edhe do të kumtohet vendimi për tërheqjen ose jo të Kusigerskas nga përfaqësimi i akuzës.