Një aksident spektakolar është shkaktuar mëngjesin e së martës në autostradën A 8 në Berner Oberland të Zvicrës. Një vozitësit të kamionit i ka rënë nga ngarkesa një kontejner, i cili fillimisht është përplasur me një veturë, e më pas është ndalur në binarët e trenit dhe më në fund katapultohet nga treni sërish në rrugë.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 08.45h në autostradën A8 në afërsi të Krattigenit. Sipas të dhënave të policisë zvicerane të Kantonit të Bernës, kamioni ka qenë duke udhëtuar nga Interlaken në drejtim të Spiez, kur paprtimas i ka rënë nga ngarkesa një kontener i mbushur me kartonë.

Me këtë rast është goditur një veturë nga ana e kundërt e komunikacionit, ndërsa kontejneri është ndalur në binarët e trenit, të cilat janë paralel me autostradën, shkruajnë mediat zvicerane, përcjellë Shtegu.com. Pas pak kohësh, një tren që ka qarkulluar në drejtim të Spiez, ka goditur kontejnerin duke e kthyer sërish në rrugë, ku përmbajtja e tij ishte shpërndarë në të dy korsitë e rrugës.

Vozitësi 46-vjeçar i veturës, i cili u godit nga kontejneri, ka pësuar lëndime të lehta. Vozitësi 53-vjeçar i kamionit i është nënshtruar një kontrolli mjekësor në vendngjarje. Udhtarët e trenit janë tmerruar nga ngjarja, por sipas të gjitha informatave nuk ka të lënduar, thuhet në një komunikatë të policisë zvicerane.
Një udhëtar i trenit ka pohuar se treni ka zbatuar një frenim të plotë. „U dëgjua një zhurmë shumë e madhe, ndërsa unë e pashë kontejnerin e goditur duke fluturuar përreth xhamit tim“. Për katër orë të tëra, autostrada A 8 ka qenë e bllokuar në të dy drejtimet, por edhe komunikacioni hekurudhir është ndërprerë përkohësisht.